5 Mënyra se si Kultet e Shtrembërojnë Biblën

0
383

     Nga Kaon Serjani

A u ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni një doktrinë të çuditshme, e cila supozohet të jetë e krishterë, por është kontradiktore me mësimet tradicionale të krishtërimit? Nga vijnë këto mësime? Pothuajse në çdo rast këto mësime duket se kanë lidhje me mënyrën se si disa lëvizje të reja fetare, të cilat përkufizohen si kulte,[1] interpretojnë tekstin biblik. Në këtë shkrim do të përshkruaj pesë mënyra kryesore se si kultet shtrembërojnë Biblën, dhe për këtë do të bazohem në librin Twisting Scripture të autorit amerikan Xhejms Sajër (James Sire).[2]

  1. Përkthim i Shtrembëruar

Sipas Sajërit, teksti biblik është shtrembëruar në përkthim kur qëllimi është të “sigurojë një bazë biblike për doktrinën e kultit”, në vend që të përpiqet “për të dhënë me saktësi tekstin më të mirë”.[3] Një shembull tipik i këtij shtrembërimi është përkthimi që na vjen nga Libri i Shenjtë i Dëshmitarëve të Jehovait, i quajtur Shkrimet e Shenjta-Përkthimi ‘Bota e Re’. Shikoni me kujdes përkthimin e Kolosianëve 1:15-17.

Ai është imazhi i Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit,  sepse me anë të tij u krijua gjithçka [tjetër] në qiej e në tokë, gjërat e dukshme e të padukshme, qofshin frone, sundime, qeveri ose autoritete; gjithçka [tjetër] u krijua nëpërmjet tij dhe për të.  Gjithashtu, ai ekzistonte para çdo gjëje [tjetër], dhe me anë të tij erdhi në ekzistencë gjithçka [tjetër].[4]

Ky përkthim është shumë i përafët me përkthime të tjera, të cilat janë pranuar gjerësisht, përveç fjalës tjetër, të cilën e kam vendosur në kllapa. Për shembull, përkthimi i këtyre vargjeve nga Shoqëria Biblike Shqipare, botim i vitit 2005, thotë si vijon:

15 Ai është shëmbëllimi  i Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese, 16 sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhe, ato që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe ndaj tij. 17 Ai është përpara të gjithave dhe të gjitha qëndrojnë nëpërmjet tij.

Te Parathënia e Përkthimit Bota e Re në anglisht shpjegohet që “kllapat” (në përkthimin shqip këto kllapa nuk janë vendosur) janë vendosur për të “plotësuar apo sqaruar kuptimin në tekstin anglisht”.[5] Por, siç vihet re, fjala tjetër nuk bën vetëm plotësimin apo sqarimin e tekstit, ajo në fakt e ndryshon kuptimin e tij origjinal. Nëse i hedhim një sy doktrinës që kanë Dëshmitarët e Jehovait për Perëndinë, do të zbulojmë arsyen e këtij shtrembërimi. Mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait e mohojnë  “Trininë dhe barazinë e plotë të Perëndisë Atë, Perëndisë Bir dhe Perëndisë Shpirt i Shenjtë”, duke mbështetur në vend të saj një version modern të një herezie të vjetër (Arianizmin), sipas të cilit Krishti ishte një qenie e krijuar nga Perëndia Atë.[6]

Pranimi i faktit që Kishti është para çdo gjëje dhe jo vetëm para çdo gjëje tjetër, do ta bënte Krishtin plotësisht të barabartë me Perëndinë. “Prandaj,”- përfundon Sajëri- “Dëshmitarët e Jehovait kanë ndryshuar qëllimisht një tekst biblik kyç, që do të … kundërshtonte një nga doktrinat e tyre dalluese.”[7] Por fjala tjetër nuk gjendet në greqishten origjinale dhe prandaj nuk mund të shtohet. Duhet të theksojmë që ka edhe pasazhe të tjera biblike, të cilat Përkthimi “Bota e Re” i Shkrimeve të Shenjta i ndryshon për t’iu përshtatur doktrinës së Dëshmitarëve të Jehovait, tekste të tilla si: Gjoni 1:1, Titi 2:13, Zbulesa 3:14, Filipianëve 2:6; 2 Pjetrit 1:1 dhe Fjalët e Urta 8:22.

  1. Injorimi i Kontekstit të Drejtpërdrejtë

Një shtrembërim tjetër që vë në dukje Sajëri në librin e tij është injorimi i kontekstit të drejpërdrejtë, që ndodh kur “Një tekst i Biblës citohet, por shkëputet nga vargjet që e rrethojnë, të cilat formojnë bazën e drejpërdrejtë për kuptimin e tij.”[8] Një shembull i këtij keqleximi të Biblës është nga audienca e filozofit  britaniko-amerikan Alan Uats, i cili është i njohur për punën e tij në interpretimin e filozofisë lindore për audiencën perëndimore. Sajër thekson se Uatsi i riinterpretoi tekstet biblike “për t’iu përshtatur botëkuptimit të tij”[9]

Për shembull, në një nga rastet, në librin e tij ‘Përtej Teologjisë’ (Beyond Theology),[10] Uatsi ka cituar gjysmën e parë të Gjonit 5:39, i cili thotë: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme,…” për të mbështetur pretendimin e tij që Jezusi e qortoi audiencën e tij që e mbitheksuan tekstin e Dhiatës së Vjetër.[11] Gjithsesi, ne duhet që, thjesht, të vazhdojmë të lexojmë pjesën tjetër të kontekstit të drejtpërdrejtë, që thotë: “…dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.” (vargjet 39-40), për të kuptuar që, ajo që ka deklaruar Uatsi është e kundërta e asaj që thotë teksti. Siç kuptohet qartë, Jezusi nuk po i qortonte dëgjuesit e tij meqë po i jepnin “tepër kredibilitet” Dhiatës së Vjetër, por përkundrazi, që po i kushtonin shumë “pak vëmendje” atij.[12] Nëse ata do ta kishin ekzaminuar me kujdes Shkrimin, do kishin arritur të kuptonin që ai përmban dëshmi për Krishtin. “Literatura e kulteve është e mbushur me ilustrime të këtij gabimi themelor.”-shkruan Sajëri.[13]

  1. Gabimet Figurative

Sipas Sajërit, gabimet figurative ndodhin ose (1) kur gjuha literale është ngatërruar dhe është marrë për figurative, ose (2) kur gjuha figurative ngatërrohet për gjuhë literale.[14] Për shembull, fjala ujë është  përdorur edhe në kuptim të drejtpërdrejtë, edhe në atë figurativ, kur autori i Ungjillit të Gjonit përshkruan episodin e gruas samaritane në Kapitullin 4, dhe pa një lexim të kujdesshëm dikush mund të mos arrijë të gjejë kuptimin e saktë të tij. Kjo është pikërisht ajo që bëjnë disa kulte; ata e injorojnë këtë parim dhe zbatojnë një kuptim për atë fjalë, të cilin teksti vetë nuk e ka ndërmend.

Një shembull i kësaj është kur Meri Bejkër Edi, themeluesja e kultit “Shkenca e Krishterë”, interpreton fjalët mbrëmje, mëngjes dhe ditë të tekstit biblik, duke pretenduar t’u japë atyre kuptimin e tyre origjinal shpirtëror. Pra, sipas Edit, mbrëmja është “mjegullsia e mendimit vdekatar; lodhje e mendjes së vdekshme; pamje të errëta; paqe dhe çlodhje;”[15]; mëngjesi është “dritë; simbol i së Vërtetës; zbulesë dhe progres”[16] dhe dita është “rrezatimi i Jetës; drita e idesë shpirtërore së të Vërtetës dhe Dashurisë; ‘Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.” (Zanafilla 1:5).”[17]

Përse duhet ta pranojmë këtë fjalor udhëzues? Ne nuk mund ta bëjmë diçka të tillë, përveçse nëse e pranojmë Merin si një profete dhe librin e saj ‘Shkenca dhe Shëndeti me Çelësin e Shkrimeve (Science and Health with Key to the Scriptures) si një zbulesë të re. Interesante është që ne shohim që kjo përputhet me botëkuptimin e saj, ku materia nuk ekziston (“përveçse si një gabim në perceptimin tonë njerëzor”); vetëm shpirti ekziston, dhe prandaj çdo nivel literal i fjalëve injorohet ose janë konsideruar si metafora që përçojnë të vërteta shpirtërore.[18] Gjithsesi, siç vë në dukje Sajërsi, ka më shumë kuptim të ecësh me “kuptimin e drejtpërdrejtë” të fjalëve, në vend që të kërkosh për simbolizëm atje ku Bibla nuk e sugjeron diçka të tillë.

  1. Prova të Pasakta

Një mënyrë tjetër se si kultet e shtrembërojnë Biblën është duke ndërtuar një doktrinë mbi prova të pasakta. Sajëri shpjegon që ky shtrembërim ndodh kur “Një përgjithësim i nxituar nxirret nga shumë pak prova.”[19] Në raste të tilla, ajo që ofrohet si një konkluzion i qëndrueshëm, del në fakt, që është vetëm një spekullim i sofistikuar. I tillë është rasti, për shembull, në lidhje me mësimet e Dëshmitarve të Jehovait tek “E Vërteta që Çon në Jetën e Përjetshme” (The Truth That Leads to Eternal Life)[20], që transfuzioni i gjakut është një praktikë në kundërshtim me Biblën. Argumentet që ata japin janë si në vazhdim: (1) Perëndia ka respekt të veçantë për gjakun e njeriut në Bibël (Zan. 4:8-11: 9:5-6); (2) Fjala “gjak” në Bibël është përdorur për “jetë” (Lev. 17:11); dhe (3) Perëndia e ndalon ngrënien e gjakut (Zan. 9:3-4; Ligji i Përtërirë 12:15-16).

Në dritën e këtyre të dhënave biblike, çfarë do të thotë të “qëndroni të lirë nga gjaku” dhe “të rrini larg nga gjaku”? (Veprat 15:20, 29). Mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait konkludojnë: “Nëse një doktor do t’u kërkonte të rrini larg nga alkooli, a do të thotë kjo që ju nuk duhet ta merrni atë përmes gojës, por ju mund ta merrni me transfuzion përmes venave tuaja? Sigurisht që jo! Kështu pra, në të njëjtën mënyrë, “të rrish larg gjakut” do të thotë të mos e futësh në asnjë mënyrë në trup.”[21]

Pa dyshim që mësimi për të ndaluar transfuzionin e gjakut është i bazuar në një analogji. Por, a është kjo një përqasje e përshtatshme për ndërtimin e një doktrine? Pyetja e parë që duhet të bëjmë, siç thekson Sajërsi, është kjo: “Si mund të përdoret Bibla, qoftë Dhiata e Vjetër, qoftë Dhiata e Re, qartësisht për të ndaluar diçka që ishte shpikur shekuj më vonë?”[22]  Nga kjo nuk del përfundimi që urdhërime të tjera në Bibël, të tilla si: “Ti nuk do të vrasësh!” nuk do të aplikoheshin nëse do të vendosnim të vrisnim një person të pafajshëm duke përdorur një tel elektrik me rrymë, e cila u zbulua gjithashtu shumë shekuj më vonë, sepse parimi i nënkuptuar në urdhërim e ndalon vrasjen, pavarësisht nga metoda.

Por në rastin e transfuzionit të gjakut nuk ka asnjë të dhënë se parimi i transfuzionit nënkuptohet në urdhërimin “Mos e hani gjakun!” Me fjalë të tjera, pavarësisht metodës vrasja është vrasje, por transfuzoni i gjakut nuk është ngrënie e tij. Për më tepër, siç argumenton Sajëri: “Një transfuzion gjaku nuk është njëlloj me të ushqyerin intravenoz, sepse gjaku i dhënë në këtë mënyrë nuk përdoret si ushqim”; prandaj, “argumenti i Dëshmitarëve të Jehovait bazohet në analogji të rreme.”[23]

  1. Ngatërrimi i Botëkuptimeve

Një tjetër keqlexim i Shkrimit vjen nga ngatërrimi i botëkuptimeve. Sipas Sajërsit, ngatërrimi i botëkuptimeve “ndodh sa herë që një lexues i shkrimit nuk arrin të interpretojë Biblën brenda kornizës intelektuale dhe gjerësisht kulturore të vetë Biblës, por përkundrazi përdor një kornizë të huaj si referencë.”[24] Ky është ndoshta themeli për të gjitha shtrembërimet e tjera që i bëjnë kultet tekstit biblik. Siç e ka treguar Sajërsi, doktrinat e kulteve shpesh paracaktohen para se studiuesi i kultit t’i afrohet Biblës. Prandaj, procesi i leximit të Shkrimit nuk duket se po kërkon atë që me të vërtetë thotë apo nënkupton teksti, por përkundrazi, po kërkon ta bëjë tekstin të flasë në një mënyrë që t’i përshtatet asaj kornize të paracaktuar. Kjo ka ndodhur me rastin e Gjonit 1:1, kur studiuesit e Dëshmitarëve të Jehovait e ripërkthyen tekstin duke shtuar një “një” për t’iu përshtatur të kuptuarit të tyre për Jezusin si një perëndi më i ulët i krijuar nga Perëndia Atë. Duke shtuar “një” teksti thotë: “Në fillim Fjala ishte, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi.” (NWT, 1961)[25]

Nga ana tjetër, doktrina mormone e Perëndisë duket gjithashtu që është parashkruar para se studiuesit mormonë t’i afrohen të njëjtin tekst, por atyre nuk u duhet ta përkthejnë ndryshe, por vetëm t’u japin fjalëve kuptim të ri. Në këtë rast, ata i interpretojnë personat e Trinisë si “tre individë të ndarë fizikisht dhe të ndryshëm”[26] sepse ky është mësimi që ata japin mbi doktrinën e Trinisë, që nënkupton tre Perëndi.

Edhe Kisha e Unifikuar (e njohur në Shqipëri si Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim), botëkuptimi i së cilës e parashtron Jezusin si jo të barabartë me Atin, kur analizon të njëjti varg, duke patur koncepte të paramenduara që lidhen me të menduarin lindor, e interpreton atë brenda kësaj kornize dhe e  parashtron Jezusin (Fjalën) si “një trup me Perëndinë” por jo “Perëndia vetë”.[27] Duke komentuar mbi Kishën e Unifikuar, e cila shumë mirë mund të jetë përfaqësuese e kulteve të tjera, Sajëri shkruan:

Parimi Hyjnor [Shkrimi i Shenjte i Kishës së Unifikuar] nuk fillon me Biblën dhe të interpretojë tekstin e saj, duke lejuar kuptimin brenda Biblës të qeverisë formën dhe përmbajtjen e teologjisë që del. Përkundrazi, vazhdon të rrotullojë me një model të rregullt sistemin e vet të mendimit, duke përdorur Biblën sa herë që i duket e përshtatshme. Kur Bibla nuk përputhet lehtësisht me mendimin e Munit  [themelusit të kultit], ajo ose injorohet ose shtrembërohet që të duket sikur përputhet.[28]

Me pak fjalë, ajo që duket se kanë të përbashkët kultet është paaftësia për ta lënë Biblën të flasë vetë për shkak të ‘syzeve’ që ata kanë vënë përpara se t’i afroheshin asaj.

Konkluzion

Në dritën e shtrembërimeve të mësipërme të tekstit biblik, si të krishterë përgjegjës që nderojnë Fjalën e Perëndisë, ne duhet t’i shtojmë përpjekjes sonë apologjetike detyrat e mëposhtme: të provojmë përkthimet e kulteve, të ndihmojmë audiencën tonë t’i kushtojë vëmendje kontekstit të drejtpërdrejtë, të nxisim ata të interpretojnë tekstin sipas zhanrit në të cilin është shkruar, të sfidojmë mësimet e çuditshme të lëvizjeve fetare kur doktrinat e tyre bazohen në prova të pasakta biblike, dhe mbi të gjitha, të demaskojmë faktin se shtrembërimi i Shkrimeve vjen si rezultat i qëllimit të kulteve për ta përshtatur me doktrinat e tyre të paracaktuar.

Nga ana tjetër, ne vetë duhet të jemi të gatshëm të bëhemi lexues më të mirë të Shkrimit. Ndoshta edhe ne nuk jemi gjithmonë të sinqertë me ato që  zbulojmë gjatë leximit që i bëjmë tekstit. A e marrim gjithmonë ashtu siç është në tekst, apo e ndryshojmë kur na konfronton për sjelljen tonë mëkatare, qëndrimin apo mendimet? Ne duhet ta pranojmë që disa herë mënyra e përqasjes sonë ndaj Shkrimit nuk është e shenjtë. Le të tregohemi të përulur dhe të mësojmë.

 

Përktheu nga anglishtja: Ana Llakaj

 

Bibliografi

Sajër, Xhejms U. (Sire, James W.) Shtrembërimi i Shkrimit: 20 Mënyra si Kultet e Keqlexojnë Shkrimin (Scripture Twisting: 20 Ways the Cults Misread the Bible, Downers Grove: InterVarsity Press, 1980.)

[1] Xhejms Sajër e përkufizon një kult si “Çdo lëvizje fetare që ndryshon nga ana organizative dhe ka doktrina dhe/ose praktika që kontradiktojnë ato të Shkrimit, siç interpretohen nga krishtërimi tradicional … dhe siç shprehet në deklarata të tilla, si ajo e Kredos së Apostujve.” James W. Sire, Scripture Twisting: 20 Ways the Cults Misread the Bible Downers Grove: InterVarsity Press, 1980), 20.

[2] Sajër paraqet njëzet mënyra, se si kultet e keqlexojnë tekstin biblik; unë do të komentoj vetëm mbi pesë prej tyre. [2] Lista e plotë e keqleximeve të Biblës sipas Sajërsit është si në vazhdim dhe sipas kësaj rradhe:  Citimet e pasakta; Përkthimet e shtrembëruara; Injorimi i kontekstit të drejtpërdrejtë; Grepi biblik; Kontekste të shembura; Specifikimi i tepruar; Loja e fjalëve; Gabimet figurative; Leximet spekullative të profecive parashikuese; Thënia, por jo citimi; Citimi përzgjedhës; Prova të pasakta; Përkufizime të ngatërruara; Injorim i shpjegimeve alternative; Fallsitet i dukshëm; Virtyt nga shoqërimi; Interpretimi i padepërtueshëm; Autoritet Biblik Shtesë; Refuzim i autoritetit biblik; dhe Ngatërrimi i  botëkuptimeve. Xhejms Sajër Shtrembërimi i Shkrimit: 20 Mënyra se si Kultet e Lexojnë Gabim Biblën (Downers Grove: InterVarsity Press, 1980). fq. 32 -128

[3] Po aty., 34.

[4] https://www.jw.org/sq/bibliotek%C3%AB/bibla/nwt/libra/Kolosian%C3%ABve/1/#v51001001-v51001002

[5] Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta (New World Translation of the Holy Scriptures, revised 1961 Brooklyn: Watchtower Bible and Tract Society of New York, 1961), p. 6. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 35.

[6] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 35.

 [7] Po aty.

[8] Po aty.,156.

[9] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 56.

[10] Alan Uots, Përtej Teologjisë (Beyond Theology New York: Vintage, 1973; original ed., 1964), 108-09. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 57.

[11] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 57.

[12] Po aty., 58.

[13] Po aty., 51.

[14] Po aty., 66-68.

[15] Meri Bejkër Edi- Shkenca dhe Shëndeti me Çelësin e Shkrimeve (Science and Health with Key to the Scriptures Boston: Trustees under the Will of Mary Baker Eddy, 1934), 586. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 66-67.

[16] Edi, Shkenca dhe Shëndeti me Çelësin e Shkrimeve (Science and Health with Key to the Scriptures), 591.

[17] Po aty., 584.

[18] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 67.

[19] Po aty., 158.

[20] E Vërteta që Çon në Jetën e Përjetshme (The Truth That Leads to Eternal Life, New York: Watchtower Bible and Tract Society of New York, 1968,) pp. 163-69. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 84.

[21] E Vërteta që Çon në Jetën e Përjetshme,162-68.

[22] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 86.

[23] Po aty., 67.

[24] Sajër, Shtrembërimi i Shkrimit, 26. Theksimi origjinal.

[25] Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta (New World Translation of the Holy Scripture), 70. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 140.

[26]Xhejms Talmazh Jezusi, Krishti (James Talmage, Jesus the Christ, Salt Lake City: Deseret Book Company, 1977), fq. 32. Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, 140.

[27] Parimi Hyjnor (Divine Principle, pp. 210-11) Siç citohet nga Sajëri te Shtrembërimi i Shkrimit, fq.136-37.

[28] Sajëri, Shtrembërimi i Shkrimit, 131.